Vendimi i KM per AZHT

VENDIM

Nr. 725, datë 2.9.2015

PËR MËNYRËN E ORGANIZIMIT DHE TË FUNKSIONIMIT TË

AGJENCISË SË ZHVILLIMIT TË TERRITORIT

I azhurnuar me:

  • VKM Nr.739, datë 13.12.2017

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 6, të ligjit nr. 90/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, dhe nenit 7, të ligjit nr. 107/2014, “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Urban, Këshilli i Ministrave

VENDOSI:

I. DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

1. Agjencia e Zhvillimit të Territorit, në vijim Agjencia, organizohet dhe funksionon në përputhje me këtë vendim dhe me ligjin nr. 107/2014, “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”, të ndryshuar. Agjencia është person juridik publik, buxhetor, në varësi të Kryeministrit, me seli në Tiranë.

2. Agjencia ka stemën, logon dhe vulën e vet zyrtare, të cilat miratohen nga Kryeministri. Stema përbëhet nga stema e Republikës së Shqipërisë, me shënimet: “Republika e Shqipërisë, Kryeministria, Agjencia e Zhvillimit të Territorit”, në përputhje me përcaktimet e vendimit nr. 474, datë 10.7.2003, të Këshillit të Ministrave, “Për mënyrën e përdorimit të stemës së Republikës, si dhe raportin e përmasave të saj”, të ndryshuar.

3. Vula zyrtare e Agjencisë ka formën dhe elementet e përcaktuara në pikën 2, të vendimit nr. 390, datë 6.8.1993, të Këshillit të Ministrave, “Për rregullat e prodhimit, administrimit, kontrollit dhe ruajtjes së vulave zyrtare”, të ndryshuar. Vula e Agjencisë prodhohet, administrohet dhe ruhet në përputhje me legjislacionin në fuqi.

II. ORGANIZIMI DHE FUNKSIONIMI I AGJENCISË

1. Agjencia drejtohet nga drejtori i Përgjithshëm, i cili organizon dhe drejton të gjithë veprimtarinë e saj dhe përgjigjet para Kryeministrit.

2. Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Zhvillimit të Territorit emërohet, lirohet dhe shkarkohet nga detyra me urdhër të Kryeministrit, në përputhje me aktet ligjore në fuqi. Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm, i cili është, njëkohësisht, drejtor i një drejtorie, emërohet, lirohet dhe shkarkohet nga Drejtori i Përgjithshëm.

3. Funksionimi i brendshëm i Agjencisë bëhet sipas rregullores përkatëse, të miratuar me urdhër të Kryeministrit, me propozimin e drejtorit të Përgjithshëm të saj.

4. Numri i punonjësve të Agjencisë të jetë, gjithsej, 45 veta. Struktura dhe organika e Agjencisë miratohet me urdhër të Kryeministrit.

III. PËRGJEGJËSITË DHE DETYRAT E AGJENCISË

1. Agjencia kryen funksionet e sekretariatit teknik të Këshillit Kombëtar të Territorit. Në këtë kuadër, Agjencia ka përgjegjësi për të:

a) pranuar dokumentacionin për shqyrtim dhe miratim në Këshillin Kombëtar të Territorit;

b) organizuar mbledhjet e KKT-së;

c) përgatitur dhe administruar dokumentacionin që shqyrtohet në to. Agjencia ka kompetencë dhe përgjegjësi për të organizuar, drejtuar dhe bashkërenduar procesin me autoritetet e tjera përgjegjëse, në nivel qendror dhe/ose vendor, me qëllim përgatitjen për shqyrtim dhe miratim të dokumenteve në kompetencë të KKT-së, sipas parimit të shërbimit me një ndalesë;

ç) bashkëpunuar me njësitë e qeverisjes vendore dhe institucionet e tjera përgjegjëse për çështje të planifikimit dhe të zhvillimit të territorit, që janë në kompetencë të KKT-së;

d) kryer komunikimin me palë të treta, për llogari të KKT-së;

dh) komunikuar, për të shpërndarë dhe për të botuar, në sistemin elektronik të lejeve, vendimet dhe dokumentet e miratuara nga Këshilli Kombëtar i Territorit;

e) vënë në zbatim vendimet e Këshillit Kombëtar të Territorit dhe për të monitoruar zbatimin e tyre nga njësitë e qeverisjes vendore e institucionet e tjera përgjegjëse;

ë) kryer monitorimin e zhvillimeve në territor, nëpërmjet sistemit elektronik të lejeve, për të përgatitur raportin përkatës dhe për të informuar Këshillin Kombëtar të Territorit e autoritetet e tjera që kanë përgjegjësi në fushën e planifikimit dhe zhvillimit të territorit;

f) ofruar mbështetje ndaj njësive të qeverisjes vendore në proceset e tyre të zbatimit të instrumenteve të drejtimit të zhvillimit, sipas legjislacionit për planifikimin dhe zhvillimin e territorit.

g) përfaqësuar Këshillin Kombëtar të Territorit, në të gjitha çështjet objekt shqyrtimi gjyqësor, që kanë lidhje me vendimet e miratuara dhe procedurat e kryera nga Këshilli Kombëtar i Territorit.

2. Agjencia siguron që dokumentet e kontrollit të zhvillimit, në nivel qendror e vendor, të jenë në përputhje me dispozitat e këtij ligji dhe me dokumentet e miratuara të planifikimit në çdo nivel.

IV.          BASHKËPUNIMI NDËRINSTITUCIONAL

1. Agjencia, gjatë ushtrimit të veprimtarisë së saj, ka të drejtë të marrë nga organet e tjera shtetërore, qendrore e vendore, dhe autoritetet përgjegjëse të gjithë ndihmën, të dhënat dhe dokumentet e nevojshme për ushtrimin e funksioneve që i janë caktuar.

2. Institucionet shtetërore kanë detyrimin të bashkëpunojnë me Agjencinë, të shkëmbejnë të dhëna e të krijojnë të gjitha lehtësitë për përmbushjen e qëllimeve e të funksioneve gjatë veprimtarisë së saj.

3. Me qëllim realizimin e bashkëpunimit ndërinstitucional, të gjitha ministritë, si autoritete kombëtare për zhvillimin e territorit, sipas fushës së përgjegjësisë, kanë detyrimin të ngarkojnë një strukturë ose person përgjegjës për rakordimin e punës me Agjencinë dhe dhënien e mendimit teknik përkatës në fushën e veprimit të sekretariatit të KKT-së. Ngritja dhe funksionimi i strukturave përgjegjëse, si dhe mënyra e bashkëveprimit të tyre me Agjencinë miratohen me urdhër të Kryeministrit.

V. PROCEDURAT E REKRUTIMIT

1. Personeli i Agjencisë duhet të plotësojë të njëjtat kërkesa të përgjithshme, të përcaktuara në nenin 21, të ligjit nr. 152/2013, “Për nëpunësin civil”, të ndryshuar, si dhe kërkesat e veçanta, të përcaktuara nga drejtori i Përgjithshëm.

2. Punonjësit e Agjencisë, me përjashtim të punonjësve mbështetës, duhet të kenë arsimin e lartë profesional të nevojshëm, në përputhje me aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi, si dhe të plotësojnë kërkesat e veçanta që përcaktohen nga drejtori i Përgjithshëm.

3. Marrëdhëniet e punës të punonjësve të Agjencisë rregullohen sipas procedurave të parashikuara në ligjin nr. 7961, datë 12.7.1995, “Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar.

Ngarkohet Agjencia e Zhvillimit të Territorit për ndjekjen dhe zbatimin e  këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.

KRYEMINISTRI

Edi Rama