Funksionet dhe Detyrat e AZHT

 

Bazuar në Kreun III “Përgjegjësitë dhe detyrat e Agjencisë”, të VKM-së Nr. 725, datë 02.09.2015 “Për mënyrën e organizimit dhe funksionimit të Agjencisë së Zhvillimit të Territorit”, i ndryshuar, Agjencia  e Zhvillimit të Territorit kryen funksionet e Sekretariatit Teknik të Këshillit Kombëtar të Territorit.

Në këtë kuadër, Agjencia ka përgjegjësi për të:

a) pranuar dokumentacionin për shqyrtim dhe miratim në Këshillin Kombëtar të Territorit;

b) organizuar mbledhjet e KKT-së;

c) përgatitur dhe administruar dokumentacionin që shqyrtohet në to. Agjencia ka kompetencë dhe përgjegjësi për të organizuar, drejtuar dhe bashkërenduar procesin me autoritetet e tjera përgjegjëse, në nivel qendror dhe/ose vendor, me qëllim përgatitjen për shqyrtim dhe miratim të dokumenteve në kompetencë të KKT-së, sipas parimit të shërbimit me një ndalesë;

ç) bashkëpunuar me njësitë e qeverisjes vendore dhe institucionet e tjera përgjegjëse për çështje të planifikimit dhe të zhvillimit të territorit, që janë në kompetencë të KKT-së;

d) kryer komunikimin me palë të treta, për llogari të KKT-së;

dh) komunikuar, për të shpërndarë dhe për të botuar, në sistemin elektronik të lejeve, vendimet dhe dokumentet e miratuara nga Këshilli Kombëtar i Territorit;

e) vënë në zbatim vendimet e Këshillit Kombëtar të Territorit dhe për të monitoruar zbatimin e tyre nga njësitë e qeverisjes vendore e institucionet e tjera përgjegjëse;

ë) kryer monitorimin e zhvillimeve në territor, nëpërmjet sistemit elektronik të lejeve, për të përgatitur raportin përkatës dhe për të informuar Këshillin Kombëtar të Territorit e autoritetet e tjera që kanë përgjegjësi në fushën e planifikimit dhe zhvillimit të territorit;

f) ofruar mbështetje ndaj njësive të qeverisjes vendore në proceset e tyre të zbatimit të instrumenteve të drejtimit të zhvillimit, sipas legjislacionit për planifikimin dhe zhvillimin e territorit.

g) përfaqësuar Këshillin Kombëtar të Territorit, në të gjitha çështjet objekt shqyrtimi gjyqësor, që kanë lidhje me vendimet e miratuara dhe procedurat e kryera nga Këshilli Kombëtar i Territorit.